Komisioni i Venecias ka publikuar një mendim këshillues për Gjykata Kushtetuese lidhur me përdorimin e gjuhëve të pakicave, duke theksuar nevojën për zbatim konkret të të drejtave në praktikë.
Sipas këtij opinioni, të drejtat gjuhësore përbëjnë standard minimal, por nuk mjafton që ato të ekzistojnë vetëm në legjislacion. Komisioni thekson se këto të drejta duhet të mbështeten me burime financiare, staf dhe mekanizma funksionalë, duke nënvizuar se “nuk mjafton që këto të drejta të ekzistojnë në ligj, ato duhet të mbështeten me burime dhe zbatim real”.
Në rekomandime thuhet se shtetet kanë hapësirë për të përcaktuar mënyrën e zbatimit, por duhet të respektojnë parimet e mosdiskriminimit dhe të përdorin kritere objektive, si dhe të konsultohen me komunitetet pakicë.
Komisioni vlerëson se në nivel lokal kërkesat për përdorimin e gjuhëve të pakicave janë më të larta, ndërsa paralajmëron se pragjet e larta të përqindjes së popullsisë mund të pengojnë ushtrimin real të këtyre të drejtave.
Sa i përket sistemit gjyqësor, theksohet se çdo person që nuk e kupton gjuhën zyrtare duhet të ketë të drejtë për përkthim dhe mbrojtje në gjuhën që kupton, duke garantuar standarde minimale të drejtësisë.
Në përfundim, Komisioni thekson rëndësinë e balancimit mes të drejtave të pakicave dhe funksionimit efektiv të shtetit, duke kërkuar politika të zbatueshme dhe të qëndrueshme.