Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka zhvilluar një takim pune me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ku në fokus ishin sfidat në zbatimin e projekteve IPA në sektorin e mjedisit.
Gjatë diskutimeve u vlerësua se, megjithëse ekziston mbështetje e konsiderueshme financiare nga Bashkimi Evropian, një pjesë e projekteve hasin vështirësi në realizim, kryesisht për shkak të kapaciteteve të kufizuara administrative, problemeve në procedurat e prokurimit dhe nivelit të ulët të absorbimit të fondeve.
Vëmendje e veçantë iu kushtua projekteve infrastrukturore, të cilat përballen me vonesa, tenderë të pasuksesshëm dhe ndërprerje kontratash, duke rrezikuar afatet dhe përdorimin efektiv të mjeteve financiare.
Ministrat theksuan se sfida kryesore mbetet zbatimi praktik i projekteve, duke nënvizuar nevojën për forcim të kapaciteteve, përmirësim të menaxhimit dhe koordinim më efikas ndërinstitucional, si dhe krijimin e mekanizmave për shmangien e dështimeve në tenderë.
Në këtë kuadër, u theksua edhe rëndësia e përshpejtimit të reformave në fushën e mjedisit dhe përmbushjes së obligimeve që lidhen me standardet evropiane, veçanërisht në politikat klimatike.
Sali deklaroi se institucioni që ai drejton do të vazhdojë të monitorojë nga afër procesin, duke synuar shfrytëzim më efikas të fondeve dhe rezultate konkrete për qytetarët, duke e cilësuar takimin si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të menaxhimit të projekteve.