Vjosa Osmani ka përfunduar sot mandatin e saj si presidente e Republikës së Kosovës, në një ceremoni zyrtare ku detyra iu dorëzua përkohësisht kryeparlamentares Albulena Haxhiu.
Me këtë zhvillim, drejtimi i shtetit kalon përkohësisht te Haxhiu, në përputhje me rrethanat kushtetuese, deri në zgjedhjen e presidentit të ri nga Kuvendi.
Gjatë takimit, Osmani u shpreh se kishte pasur gjithmonë dëshirë që pas largimit të saj nga posti, drejtimin ta merrte një grua, duke theksuar se kjo dëshirë sot po i realizohet dhe duke uruar që edhe në të ardhmen kjo traditë të vazhdojë. Ajo vlerësoi përgjegjësinë e lartë që mbart posti i presidentit dhe i uroi suksese Haxhiut në ushtrimin e detyrës.
Nga ana e saj, Haxhiu deklaroi se e kupton përgjegjësinë dhe obligimet kushtetuese që i takojnë, duke shtuar se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ajo theksoi se ushtrimi i detyrës së presidentes është i kufizuar në kohë dhe nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj, ndërsa bëri thirrje për konsensus politik në mënyrë që Kuvendi të zgjedhë sa më shpejt kreun e ri të shtetit.
Vjosa Osmani ishte zgjedhur presidente më 4 prill 2021.