Nga Vendi
6 April 2026
Kryetari i Parlamentit Studentor Besjan Rexhepi, studentët kërkojnë provimin e jurisprudencës në shqip

Kryetari i Parlamentit Studentor dhe Asociacionit pranë Universiteti i Evropës Juglindore, Besjan Rexhepi, ka reaguar publikisht lidhur me kërkesat e studentëve për të drejtat e tyre akademike.

Në deklaratën e tij, ai theksoi bashkimin e studentëve rreth një qëllimi të përbashkët, “Sot jemi këtu jo si individë të ndarë, por si një zë i përbashkët studentor që kërkon të drejtën e tij legjitime dhe të arsyeshme”, ndërsa sqaroi se kjo nuk është një protestë kundër dikujt, por “një thirrje për drejtësi, barazi dhe respekt ndaj procesit tonë akademik dhe profesional”.

Rexhepi e bëri të qartë kërkesën kryesore të studentëve, “Kërkesa jonë është e qartë dhe konkrete, mundësia që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën në të cilën kemi studiuar”, duke shtuar se “kjo nuk është kërkesë emocionale, por një çështje parimore, ligjore dhe praktike që prek drejtpërdrejt të ardhmen tonë si juristë”.

Ai nënvizoi rëndësinë e respektimit të realitetit multietnik në vend, “Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut kemi nevojë për zgjidhje të qarta, të plota dhe të qëndrueshme ligjore”, ndërsa e cilësoi këtë moment si një thirrje reflektimi për institucionet.

Në reagim, ai iu drejtua drejtpërdrejt Ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, “të marrë seriozisht këtë çështje dhe të reflektojë me zgjidhje konkrete ligjore, jo me vonesa apo heshtje institucionale”, duke paralajmëruar se studentët dinë edhe të reagojnë.

Po ashtu, ai i bëri thirrje Kryeministrit Hristijan Mickoski që të angazhohet për zgjidhje reale, “të mos e trajtojë këtë çështje vetëm në kuadër të deklaratave apo konferencave për shtyp”.

Në fund, Rexhepi theksoi qartësisht qëndrimin e studentëve, “Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se të drejtën tonë. Ne kërkojmë zgjidhje, jo justifikime. Ne kërkojmë veprim, jo interpretim”, duke shtuar se lëvizja mbetet “studentore, paqësore dhe e pastër”.



Të ndryshme
Më shumë
Pendarovski nga Kroacia: Për Maqedoninë e Veriut nuk ka alternativë tjetër përveç BE-së30 June 2021
“Me loqken tem”, Anita publikon foton e mbrëmjes krahë Ramushit 9 July 2021
Rregullat për të hyrë në Shqipëri nga data 6 shtator31 August 2021