Një aksion i koordinuar policor është zhvilluar që në orët e para të mëngjesit në disa qytete të vendit, duke tërhequr vëmendjen për shkak të pranisë së shtuar të forcave të sigurisë dhe njësive speciale në terren.
Sipas informacioneve jozyrtare, operacioni po realizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme përmes strukturave për siguri publike dhe krim të organizuar, në bashkëpunim me njësitë speciale dhe në koordinim me Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Aksioni është shtrirë njëkohësisht në Shkup, Shtip dhe Strumicë, ku janë angazhuar forca të shumta policore, ndërsa dyshohet se në shënjestër janë grupe të përfshira në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e personave të përfshirë apo për rezultatet konkrete të operacionit, ndërsa autoritetet pritet të dalin gjatë ditës me informacione më të detajuara për zhvillimet dhe epilogun e aksionit.