Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, e zhvilluar në Nju Jork, Kosova dhe Serbia kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur se normalizimi i marrëdhënieve mbetet rruga e vetme përpara.
Zëvendëspërfaqësuesja amerikane në OKB, Tammy Bruce, deklaroi se SHBA-ja pret angazhim konkret nga të dyja palët, duke theksuar se “Presidenti Donald Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të prosperuar së bashku, ne shpresojmë që të dyja palët do t’i ulin tensionet dhe do të ulen në tavolinë”.
Ajo shtoi se SHBA-ja do të bashkëpunojë me liderë që shohin drejt së ardhmes dhe jo së kaluarës, duke theksuar se qytetarët e Kosovës dhe Serbisë meritojnë siguri, zhvillim ekonomik dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.
Përfaqësuesit e Kosovës theksuan se nuk mund të ketë normalizim pa llogaridhënie për sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc, për të cilat Prishtina akuzon Beogradin, ndërsa Serbia i mohon këto pretendime. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, deklaroi se Serbia po vazhdon të luajë rol destabilizues dhe bëri thirrje për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur.
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, pretendoi se serbët në Kosovë përballen me presione dhe pengesa institucionale, duke kërkuar themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai theksoi se ekziston hapësirë për bashkëpunim ekonomik dhe ndërtim besimi mes dy popujve.
Takimi riktheu në vëmendje edhe rolin e UNMIK-ut, ku qëndrimet mbeten të kundërta, me Kosovën dhe SHBA-në që kërkojnë përmbylljen e misionit, ndërsa Serbia insiston në vazhdimin e tij.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që nga viti 2011, vazhdon të mbetet pa rezultate të plota në zbatimin e marrëveshjeve.
Burimi: Radio Evropa e Lirë