Pakistani ka shënuar një zhvillim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, duke ndërmjetësuar një armëpushim 14-ditor mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa njëkohësisht ka hapur rrugën për bisedime të mundshme mes palëve në Islamabad më 10 prill.
Marrëveshja u bë publike nga kryeministri i Shehbaz Sharif më 8 prill, vetëm disa orë para përfundimit të afatit të vendosur nga Donald Trump, i cili kishte paralajmëruar pasoja të rënda ndaj Iranit. “Republika Islamike e Iranit dhe Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e tyre, janë pajtuar për një armëpushim të menjëhershëm kudo, përfshirë në Liban dhe gjetkë”, deklaroi Sharif.
Vetë Trump konfirmoi se kishte rënë dakord për pezullimin e sulmeve për dy javë, pas bisedimeve me udhëheqjen pakistaneze, ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, vlerësoi përpjekjet e Islamabadit zyrtar.
Analistët e konsiderojnë këtë zhvillim si një përforcim të ndjeshëm të imazhit diplomatik të Pakistanit. Sipas studiueses Ayesha Siddiqa, “është e lehtë të përfshihesh në luftë, por shumë e vështirë të dalësh prej saj”, duke theksuar se Pakistani ishte ndër të paktët aktorë që ruante komunikim të drejtpërdrejtë si me Uashingtonin, ashtu edhe me Teheranin.
Ndërhyrja diplomatike e Pakistanit vjen edhe në një moment delikat rajonal, duke shmangur përshkallëzimin e konfliktit dhe rrezikun e përfshirjes së aktorëve të tjerë, përfshirë vendet e Gjirit. Sipas marrëveshjes së përkohshme, Irani pritet të rihapë edhe Ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike për furnizimin global me naftë.
Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse bisedimet e drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit do të konfirmohen zyrtarisht, pasi të dyja palët kanë lënë të hapur mundësinë e negociatave, por pa një vendim përfundimtar deri më tani.
Burimi: tvklan.al