Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar përvjetorin e Betejës së Koshares, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në luftën për çlirimin e vendit.
Duke rikujtuar ngjarjet e 9 prillit 1999, Kurti theksoi se luftimet nisën me qëllim shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili për dekada kishte ndarë shqiptarët. “27 vite më parë filluan luftimet e Betejës së Koshares, me qëllim shembjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë”, u shpreh ai.
Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ndërmori ofensivë ndaj pozicioneve ushtarake serbe në zonën kufitare, duke zhvilluar beteja të ashpra për më shumë se dy muaj, në një terren të vështirë malor. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e kësaj beteje në bashkërendimin me aleatët ndërkombëtarë, duke theksuar se UÇK-ja u kthye në një aleate të rëndësishme të NATO gjatë fushatës ajrore kundër forcave jugosllave.
Kurti kujtoi sakrificën e luftëtarëve, duke nënvizuar se “114 luftëtarë të UÇK-së ranë dëshmorë duke luftuar për çlirimin e Kosovës”, ndërsa shumë të tjerë u plagosën gjatë përballjeve.
Ai përfundoi mesazhin me një thirrje për nderim dhe kujtesë të përhershme për të rënët, duke theksuar rëndësinë e sakrificës së tyre për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.