Nga Rajoni
9 April 2026
Europol godet rrjetin e kontrabandës së migrantëve vietnamezë drejt Britanisë

Policia evropiane, Europol, ka njoftuar shkatërrimin e një rrjeti kriminal që kontrabandonte migrantë vietnamezë drejt Evropës, me destinacion përfundimtar Mbretërinë e Bashkuar.

Operacioni, i udhëhequr nga autoritetet franceze dhe i zhvilluar më 30 mars, çoi në tetë arrestime dhe sekuestrimin e dokumenteve, automjeteve dhe parave. Mes të ndaluarve ishte edhe një nga drejtuesit kryesorë të rrjetit, i arrestuar në Gjermani në bazë të një urdhër-arresti evropian, si dhe një organizator tjetër i nivelit të lartë i kapur në Hungari.

Sipas Europolit, migrantët hynin fillimisht në zonën Shengen përmes Hungarisë me dokumente të përkohshme, për të vijuar më pas drejt Francës, ku qëndronin përkohësisht në Paris përpara se të transportoheshin në veri të vendit dhe të tentonin kalimin e Kanalit drejt Britanisë me mjete të vogla lundruese.

Në deklaratën e saj, Europol thekson se “anëtarët e këtij rrjeti organizonin të gjithë udhëtimin, duke përfshirë logjistikën, akomodimin dhe transportin”, ndërsa për çdo migrant kërkoheshin deri në 22 mijë euro.

Autoritetet bëjnë të ditur se rrjeti transportonte të paktën 15 persona në muaj, duke shfrytëzuar rrugë të rrezikshme dhe të paligjshme. Rasti rikthen në vëmendje edhe tragjedinë e vitit 2019, kur 39 migrantë vietnamezë humbën jetën në një kamion frigoriferik gjatë tentativës për të hyrë në Britani.

Një operacion tjetër i ngjashëm, i zhvilluar po më 30 mars, rezultoi me 19 arrestime të tjera në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke treguar përmasat e gjera të këtij aktiviteti kriminal.



Të ndryshme
Më shumë
Sela: Besojmë se do t’i fitojmë shumicën e komunave21 September 2021
Për hyrje nga Maqedonia në Greqi duhet të keni test PCR27 August 2021
Maqedoni: Mbi 180 mijë qytetarë që ende nuk kanë marrë termin, ja kur pritet të vaksinohen 24 June 2021