Sport
9 April 2026
Vedat Muriqi shpërthen emocionet pas golit të fitores ndaj Real Madridit dhe flet për humbjen e Kosovës nga Botërori

Vedat Muriqi, sulmuesi kosovar i Real Mallorcas, ka përjetuar dy javë intensive emocionale pas humbjes së Kosovës nga Turqia dhe fitores dramatike të skuadrës së tij ndaj Real Madridit në minutën e 91-të, duke shënuar golin vendimtar. Në një intervistë për “La Zona 10” të “Fibwi Radio” në Spanjë, Muriqi pranoi se kishte përjetuar shumë ndjenja të ndryshme: “Një ditë poshtë e një ditë lart, ky është futbolli. Humba penalltinë kundër Elches, ku mund të merrnim një pikë të rëndësishme. Më pas fitoj gjysmëfinalen ndaj Sllovakisë dhe më vonë humbas finalen ndaj Turqisë. Kam respekt për ta sepse kam shumë miq, por kurrë nuk mendova se mund ta humbnim atë ndeshje”.

Sulmuesi foli edhe për momentin emocionues pas golit ndaj Real Madridit: “Shpërtheva. Fillova të vrapoj drejt këndit dhe fillova të ndihesha çuditshëm. Më nisën lotët. Nuk mund ta dëmtoja Mallorcan për shkak të emocioneve të mia me Kosovën”. Ai theksoi gjithashtu se për momentin nuk ka marrë vendim për të ardhmen e tij me kombëtaren: “Ideja ishte të luaja në Botëror dhe të tërhiqesha. Ia kam thënë presidentit dhe trajnerit. Nuk e kam menduar, përpiqem të mos e bëj sepse dua të përqendrohem te ajo që ka mbetur me Mallorcan. Pastaj do të kem kohë të mendoj për këtë”.

Muriqi ka shënuar 19 gola këtë sezon dhe është vetëm një gol larg barazimit të rekordit të Samuel Eto’o me Mallorcan, duke vazhduar të jetë një figurë kyçe për skuadrën në luftën për mbijetesë. Sulmuesi vlerësoi gjithashtu punën e stafit të ri teknik dhe trajnerit Demichelis: “Po ndryshon shumë detaje të vogla. Ai i njeh kundërshtarët dhe po bëjnë një punë të madhe edhe në analizën e tyre”.

Burimi: Klankosova.tv



Të ndryshme
Më shumë
LSDM: Në fund të mandatit do të kemi 20.000 denarë pagë minimale dhe 34.000 denarë pagë mesatare30 August 2020
Familjarët e viktimave të zjarrit në Spitalin Modular: Të zhgënjyer nga vendimi, do ta ndjekim rastin në instanca më të larta16 May 2025
Vuçiq: Shqiptarët dhe serbët do të jenë dy popujt më të mëdhenj në Ballkan23 August 2021