Nga Vendi
11 April 2026
Ulen çmimet e derivateve të naftës, vendimi hyn në fuqi të martën

Qeveria njofton ulje të reja të çmimeve të derivateve të naftës, të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga e marta, pas vendimit të Komisionit Rregullator për Energjetikë.

Sipas njoftimit zyrtar, çmimi i Eurosuper 95 do të ulet për 1,5 denarë, duke arritur në 82 denarë për litër, ndërsa Eurosuper 98 gjithashtu do të ulet për 1,5 denarë dhe do të shitet me 84 denarë për litër. Nafta, përkatësisht dizeli, do të ulet për 2,5 denarë dhe do të kushtojë 95,5 denarë për litër.

Po ashtu, vaji ekstra i lehtë për amvisëri do të shënojë ulje prej 3,5 denarësh, duke arritur në 96,5 denarë për litër, ndërsa mazuti do të ulet për 2,084 denarë dhe do të shitet me 49,227 denarë.

Nga Qeveria theksojnë se këto çmime nuk përfshijnë uljen shtesë nga kompania OKTA për partnerët e saj, e cila arrin në 2 denarë për litër për benzinën dhe 3 denarë për dizelin, çka pritet të ndikojë në ulje të mëtejshme të çmimit final.

Në reagim thuhet se institucionet kanë ndjekur në vazhdimësi zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe kanë ndërmarrë masa konkrete, përfshirë uljen e TVSH-së për karburantet nga 18% në 10%, si dhe harmonizimin e akcizave në bazë të bursave ndërkombëtare.

Qeveria vlerëson se vendi vazhdon të ketë furnizim të qëndrueshëm me derivate të naftës, pavarësisht rritjes së konsumit që në disa ditë ka arritur deri në 2 milionë litra, duke e cilësuar situatën si të menaxhuar dhe çmimet si ndër më të ulëtat në rajon.

Në fund të njoftimit, është përcjellë edhe urimi për festën e Pashkëve, duke iu dëshiruar qytetarëve paqe dhe mirëqenie në familjet e tyre.



Të ndryshme
Më shumë
Zaev: Në normalitetin e ri, jeta vazhdon në përputhje me protokollet për mbrojtje27 May 2020
Kurban Bajrami – 31 korrik, ditë jo pune për besimtarët myslimanë29 July 2020
Gostivar, mbi 1.000 persona janë në karantinë24 August 2021