Moti në vend gjatë ditëve në vijim do të karakterizohet nga kushte të paqëndrueshme, me reshje të herëpashershme shiu dhe erë të përforcuar, veçanërisht në fillim të javës. Sipas njoftimit të DPHM-së, prej të martës deri të enjten priten reshje lokale, në disa zona më intensive, ndërsa të enjten mund të ketë edhe paraqitje të izoluara të bubullimave.
“Në disa vende të reshurat do të jenë më të mëdha, ndërsa të enjten do të ketë kushte për paraqitje të izoluar të bubullimave”, kumtuan nga DPHM, duke shtuar se era juglindore do të përforcohet të martën, sidomos përgjatë Vardarit, me shpejtësi mbi 60 kilometra në orë.
Nga e premtja pritet stabilizim i motit, me diell dhe vranësira të pakta deri mesatare, si dhe erë të dobët deri mesatare nga veriu. Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga 3 deri në 11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 14 deri në 23 gradë.
Ndërkohë, dita e nesërme do të sjellë mot me diell dhe vranësira mesatare, me erë mesatare deri të përforcuar në disa zona. Temperaturat do të arrijnë deri në 21 gradë Celsius, ndërsa në Shkup pritet të lëvizin nga 8 deri në 20 gradë.