Besimtarët ortodoksë në vend kanë kremtuar festën më të madhe të krishterimit, Pashkët, duke përkujtuar Ringjalljen e Krishtit me meshë solemne dhe rituale tradicionale në të gjitha kishat. Mesazhi i ringjalljes u shpall në mesnatë, ndërsa gjatë ditës u mbajtën liturgjitë festive.
Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, H.T. Stefani, theksoi rëndësinë e kësaj feste për besimin e krishterë, duke deklaruar se “Ringjallja e Krishtit është themeli i besimit tonë, sepse në të gjejmë Zotin e gjallë, është forca e shpresës sonë, sepse na zbulon se vdekja nuk është fundi, por kalim në jetën tek Zoti”.
Festa u shoqërua me simbolet tradicionale si veza e kuqe, buka e ëmbël, flaka e shenjtë dhe mishi i qengjit, që përfaqësojnë jetën, sakrificën dhe ripërtëritjen shpirtërore.
Qytetarët përcollën mesazhe paqeje dhe bashkimi, duke theksuar se kjo festë sjell shpresë dhe nevojën për më shumë mirëkuptim në shoqëri.
Urime për Pashkët dërguan edhe drejtuesit e shtetit. Presidentja Gordana Siljanovska Davkova theksoi rëndësinë e qëndrimit në vlera si humanizmi dhe solidariteti në kohë sfidash. Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi vuri në pah se Pashkët sjellin mesazhe ripërtëritjeje shpirtërore dhe bashkimi, ndërsa kryeministri Hristjan Mickoski e cilësoi këtë festë si simbol të shpresës dhe fitores së jetës mbi sprovat. Edhe lideri i opozitës Venko Filipçe theksoi se kjo festë sjell forcë për fillime të reja dhe një shoqëri më të mirë.