Nga Vendi
17 April 2026
Janevska: Ka nisur kthimi i emigrantëve, po investojmë për të ndalur rënien e nxënësve

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, deklaroi se në Maqedoninë e Veriut ka nisur një kthim gradual i emigrantëve, duke e lidhur këtë zhvillim me politikat aktuale të qeverisë.

Duke komentuar të dhënat për rënien e numrit të nxënësve në arsimin fillor, ajo theksoi se situata po ndryshon dhe se institucionet kanë filluar të ndërmarrin masa konkrete për përmirësim. Sipas saj, “tashmë kemi një fluks emigrantësh, nuk është i madh, por njerëzit kanë filluar të kthehen në Maqedoni, kjo është rezultat i politikave që po zbaton kjo Qeveri”.

Janevska kritikoi qeverinë e mëparshme për mungesë veprimi ndaj rënies demografike, ndërsa nënvizoi se aktualisht po punohet në zgjerimin e kapaciteteve shkollore dhe krijimin e kushteve për mësim me një ndërrim, aty ku ka numër të mjaftueshëm nxënësish.

Ajo bëri të ditur se projekte të reja infrastrukturore parashikohen edhe në komuna të tjera, duke përfshirë ndërtimin e shkollave të reja, ndërsa theksoi se këto ndryshime kërkojnë kohë. “Situata po ndryshon, është një proces që nuk mund të realizohet menjëherë, por ne po krijojmë kushte që të rinjtë të qëndrojnë, të studiojnë dhe të punojnë në vend”, u shpreh ministrja.



Të ndryshme
Më shumë
Ivanovska: Qeveria të heqë dorë nga angazhimi i “Bechtel dhe Enka” përmes “ligjit të veçantë” 3 July 2021
Valon Syla tallet me Gold AG: Gjynah që ska kush e fotografon sonte23 August 2021
QMK: Vazhdojnë kërkimet për gjetjen e 16 vjeçares që u zhduk në ujërat e lumit Vardar28 July 2025