VLEN ka drejtuar akuza të drejtpërdrejta ndaj Talat Xhaferit dhe BDI-së, duke i fajësuar për përjashtimin e gjuhës shqipe nga provimi i jurisprudencës. Sipas tyre, organizimi i këtij provimi mbështetet në një ligj të miratuar në vitin 2019, në kohën kur BDI ishte në pushtet dhe Xhaferi drejtonte Kuvendin.
Nga VLEN thonë se kanë publikuar një dokument të datës 27 gusht 2019, të nënshkruar nga Xhaferi, i cili sipas tyre dëshmon përgjegjësinë politike për situatën e krijuar. Ata theksojnë se problemi nuk është rastësi, por pasojë e neglizhencës dhe tradhtisë politike, duke shtuar se ligji është votuar me Badenter edhe nga deputetë shqiptarë, gjë që sipas tyre ka lënë pasoja për studentët shqiptarë.
Ndërkohë, juristi Miralem Asani në një intervistë për Alsat ka vlerësuar se bëhet fjalë për një lëshim të madh institucional. Ai ka theksuar se ligji për përdorimin e gjuhëve është miratuar më 14 janar 2019, ndërsa ligji për provimin e jurisprudencës është publikuar në shtator të po atij viti, pa përcaktuar qartë gjuhën e zhvillimit të provimit. Sipas tij, kjo çështje mund të ishte zgjidhur lehtësisht me përfshirjen e një neni që do të lejonte mbajtjen e provimit edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me dispozitat kushtetuese.
Në shenjë pakënaqësie, studentët shqiptarë kanë protestuar para Ministrisë së Drejtësisë, duke kërkuar të drejtën për ta dhënë provimin në gjuhën shqipe. Autoritetet kanë bërë të ditur se është formuar një grup pune për të shqyrtuar dhe zgjidhur këtë çështje.