Nga Vendi
18 April 2026
Kuvendi hap garën për anëtar të Antikorrupsionit, kritere të forta për kandidatët

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka shpallur konkurs publik për përzgjedhjen e një anëtari të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke vendosur kritere të rrepta profesionale dhe etike për kandidatët.

Sipas njoftimit zyrtar, aplikuesit duhet të jenë shtetas të vendit, me vendbanim të përhershëm dhe me aftësi të plotë për punë. Në aspektin arsimor kërkohet diplomë e arsimit të lartë me të paktën 300 kredi në drejtësi, ose 240 kredi në shkencat politike, komunikim apo ekonomi.

Një nga kushtet kyçe mbetet përvoja profesionale, ku kërkohen minimum 10 vite pune pas studimeve, ndërsa të paktën gjashtë vite duhet të jenë në fusha që lidhen me luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit ose qeverisjen e mirë.

Kriteret për integritetin janë gjithashtu të theksuara, kandidatët nuk duhet të kenë ndalim për ushtrimin e funksioneve publike dhe gjatë dhjetë viteve të fundit nuk duhet të kenë qenë pjesë e pushtetit ekzekutiv apo legjislativ, si dhe të mos kenë qenë të përfshirë në struktura partiake apo financim të partive politike.

Ky konkurs vlerësohet si pjesë e përpjekjeve institucionale për të forcuar mekanizmat kundër korrupsionit dhe për të rritur besimin e publikut në institucionet shtetërore.



Të ndryshme
Më shumë
Dënim me kusht për protestuesit për tragjedinë në Tetovë13 October 2021
Shqiptarët e Maqedonisë thirren në protestë për të drejtën e provimit në gjuhën amtare14 May 2026
Sherr me Arjola Demirin? Atdheu sqaron si është e vërteta, konfirmon lidhjen e re me...18 March 2022