Autoritetet franceze kanë thirrur për intervistë vullnetare miliarderin Elon Musk në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj platformës së tij X, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse ai do të paraqitet për të dhënë dëshmi.
Hetimet, të nisura në vitin 2025, janë zgjeruar duke përfshirë shqetësime për përmbajtjen e publikuar në platformë dhe përdorimin e chatbotit Grok, i cili dyshohet se është përdorur për krijimin e imazheve “deepfake” me përmbajtje seksuale pa pëlqimin e personave të përfshirë.
Në shkurt, njësia kundër krimit kibernetik e prokurorisë së Parisit kreu kontrolle në zyrat e kompanisë, pas dyshimeve për një sërë shkeljesh të mundshme ligjore, përfshirë edhe përhapjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve, shkeljen e të drejtave të imazhit përmes “deepfake” dhe nxjerrje të paligjshme të të dhënave nga grupe të organizuara.
Platforma X i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar si “të pabazuara”, ndërsa Elon Musk ka reaguar duke shkruar se “kjo duhet të ndalet”.
Situata është bërë më e ndërlikuar pas raportimeve se Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka refuzuar të bashkëpunojë me autoritetet franceze, duke i akuzuar këto të fundit për keqpërdorim të sistemit amerikan të drejtësisë.
Edhe ish drejtoresha ekzekutive e X, Linda Yaccarino, është thirrur në Paris për të dëshmuar mbi periudhën kur dyshohet se kanë ndodhur shkeljet, ndërsa ajo më herët ka deklaruar se bëhet fjalë për “hakmarrje politike kundër amerikanëve”.
Hetimet ndaj X kanë nxitur reagime edhe në nivel ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke rritur presionin mbi kompaninë dhe drejtuesit e saj.