Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim virtual me 88 nëndegët e partisë në mërgatë, ku ka informuar për zhvillimet e fundit politike dhe proceset negociuese.
Sipas tij, këto procese kanë dështuar pavarësisht, siç u shpreh, vullnetit maksimal të LDK-së dhe kërkesave minimale, por theksoi se kjo situatë nuk përbën fundin e rrugëtimit politik të partisë. Ai deklaroi se ky është një moment kthese dhe një mundësi për riorganizim dhe forcim të mëtejshëm.
Abdixhiku bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar edhe për nevojën e bashkimit të së djathtës brenda LDK-së, duke e konsideruar këtë si rrugë për ndërtimin e një alternative të re për qytetarët.
Ai njoftoi gjithashtu se është arritur dakordim për mobilizim të plotë të strukturave dhe nisjen e përgatitjeve për tubime dhe takime me mërgatën, duke theksuar rolin e saj në këtë proces. Sipas tij, mërgata nuk është vetëm mbështetje, por pjesë vendimtare e ndryshimit që synon partia.
Në reagimin e tij thuhet se proceset negociuese fatkeqësisht dështuan përkundër vullnetit maksimal dhe kërkesave minimale, por ky dështim nuk është fund, është moment kthese, ndërsa shton se koha për pritje ka përfunduar dhe koha për veprim ka nisur.