Nga Vendi
29 April 2026
Albanofobia në stadiume dhe tensionet politike në Maqedoninë e Veriut nxisin reagime të forta

 

Nga Aleksandër Çipa

Nëse thirrjet albanofobe të një grupi me emër “ Komiti” l, të tifozëve në ndeshjen Vardar-Tikvesh, do të ishte një rastësi e vetme, nuk do të merrej fare në vlerësim. Madje as tingëllimi kanibalesk i shprehjes:
“Shqiptari i vdekur, shqiptari i mirë, o hej!”!
Por kur vëren se kemi të bëjmë me pamje koresh antishqiptare, të organizuar dhe të strukturuar, në kundërshti dhe shkelje flagrante të ligjit themelor të një republike të mbajtur si “ këpucë e konsumuar” falë “ këpucarëve”, atëhere problemi është endogjen.

Në Shkup, jo vetëm nëpër stadiume, por edhe në sjellje dhe gjeste politike, shumëshfaqen provokacione dhe incidente antishqiptare.

Aktet fyese dhe substancialisht raciste antishqiptare, në Maqedoninë e Veriut, janë regres serioz që mbart risk për bashkëjetesën në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm e thjesht në republikën “e arnuar”, kandidate për në BE.(!)

Një muaj më parë, kësi thirrjesh u dëgjuan rishtazi në një stadium dhe Ministria e Brendshme e RMV, veprën penale e “ ndëshkoi” me gjoba si në shkelje qarkullimi apo “hedhje mbeturinash jashtë koshit”!
Kjo ministri as sot, pas një muaji, nuk zbulon se cilët janë të identifikuarit e atyre thirrjeve dhe korreve barbare antishqiptare.
Në gushtin e vitit 2025 rishtazi ndodhi e njëjta skenë në Kumanovë, madje në prani të kryeministrit Mickovski dhe vartësit të tij, Toshkovski.

Këtyre episodeve aq provokative ndaj shqiptarëve u shtohet së fundi edhe gjesti thellësisht provokativ i ministrit të Mbrojtjes së RMV, Vlado Misajlovski.

Ky ministër, zhvillon një ceremoni përkujtimore përpara memorialit të Batalionit të Forcave Speciale në nderim të katër pjesëtarëve të ushtrisë së vrarë në Vejcë në vitin 2001. Përulet dhe pantomimon para pllakës që i etiketon si “terroristë” shqiptarët e përfshirë në këtë konflikt, të shënuar 25 vite më parë, varësisht se ka pasur viktima nga të dyja palët.

Gjesti zyrtar, pllaka e shkruar dhe sidomos reagimet e maqedonasve janë mjaftueshmërisht kundër Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka shënuar një dakordësi ekzistenciale për Maqedoninë e Veriut, mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Teksti i memorialit, para të cilit ministri i Mbrojtjes, maqedonasi Misalojvski, guxon e bën veprim politik antishqiptar, ndër të tjerash ka edhe përmbajtjen:”…Ranë në luftë kundër terroristëve shqiptarë më 28.04.2001 në rajonin e fshatit Vejcë”. (Bëhet fjalë për luftën e UÇK)

Këto episode dhe shumë e shumë të tjerë në përditshmëri, dëshmojnë qartazi se molepsja raciste antishqiptare e maqedonasve provincialë, dhe jo vetëm, është një problem bashkëjetese dhe standarti. Dhe meqenëse është i tillë, pra prapambetje në standard bashkëjetese, institucionalizmi shqiptar, sidomos ai politik dhe ndërshtetëror, do të duhej të kishte dhe të ketë një qasje dhe reagim kryekëput të ndryshëm nga gjer më sot.

Kur themi se Maqedonia e Veriut ekziston pikërisht prej shqiptarëve, kjo është e vlefshme sa graviteti fizik për këtë republikë.
Maqedonasit nuk janë ndërgjegjësuar për këtë dhe meritojnë të marrin prova dinjitoze.
Faktori shqiptar në jetën institucionale te MV duhet të dëshmojë kapacitet dhe të demonstrojë dinjitet…!
Memoriale të tilla nëpër MV duhet te zhduken me ligj dhe me forcën e një task force ligjore.

Të drejtat kushtetuese të shqiptarëve janë barazi shtetasish dhe meganjësie etnike shtetformuese.

Diplomacia shqiptare, në RMV, Shqipëri dhe Kosovë do të duhej ta kishin kryer një raport faktmbledhës me kohë në partneritet institucional me Komisionerët ndërkombëtarë dhe sidomos me Brukselin zyrtar.

Maqedonasit janë të pamjaftueshëm për të rikthyer edhe historinë e vjetër të Ballkanit me urrejtje, edhe mundësinë e tyre raciste antishqiptare e sidomos diferencuese të tyre.

Leksionin për demokracinë dhe sidomos dinjitetin, tashmë shqiptarët kanë arsye t’ua japin pa hezitim këtyre fqinjëve, sidomos bashkëjetuesve shtetërorë të tyre në RM.

Është në dinjitet të shqiptarëve të mos u lënë asnjë grimë mundësie si maqedonasve, ashtu edhe sivëllezërve të tyre nëpër provinca të rajonit, për të përsëritur dhe manifestuar akte racizmi apo albanofobie.

Është kohë tjetër dhe kanë “ndërruar pasqyrat”, për të parë çfarë nuk përkon me këtë kohë për rajonin.

Maqedonasit kanë arsye më shumë se kushdo ndër popujt e këtyre trojeve ta përvetësojnë vargun aksiomatik të Pushkinit:” Tek e shkuara nuk ka më kthim!”.

Top Channel

 

 



Të ndryshme
Më shumë
Rrëfime tronditëse nga fronti në Ukrainë, ish ushtarët rusë flasin për ekzekutime dhe tortura24 February 2026
Rama u reagon sërish atyre që e kundërshtuan Bregoviqin: E bënë kriminel pa asnjë fakt24 August 2021
Biografitë e ministrave në Qeverinë e re31 August 2020