Nga Rajoni
1 May 2026
Siguria në Kosovë mbetet e qetë por e brishtë, Ulutash paralajmëron rrezikun e tensioneve në veri

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, pas takimeve të zhvilluara në selinë e NATO-s në Bruksel me ambasadorët e vendeve aleate dhe partnerëve kontribues në mision, si dhe me zëvendëssekretaren e përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qetë, por ende e ndjeshme ndaj zhvillimeve të mundshme.

Ai theksoi se që nga tetori i vitit 2025 nuk është vërejtur rikthim i dhunës si në vitin 2023, por shtoi se “situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçanërisht në veri të Kosovës”.

Ulutash nënvizoi se KFOR-i vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke vepruar në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë.

Sipas tij, NATO dhe partnerët e saj mbështesin plotësisht misionin e KFOR-it për ruajtjen e sigurisë dhe lëvizjes së lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ai shtoi gjithashtu se prania e KFOR-it në terren mbetet fleksibile dhe e gatshme për të reaguar ndaj çdo zhvillimi që mund të ndikojë në stabilitetin e përgjithshëm.

Ulutash theksoi rëndësinë e dialogut politik, duke deklaruar se “rruga drejt paqes së qëndrueshme është politike dhe jo ushtarake”, ndërsa nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.



Të ndryshme
Më shumë
Moti sot në Maqedoninë e Veriut19 August 2021
Nesër në Tetovë do të shfaqet filmi “Pasaporta” nën regji të Eduart Grishaj 5 May 2025
Tuna Sejdin e bëjnë ‘horë’, ia publikojnë një fotografi nga e kaluara26 July 2021