Nga Vendi
11 May 2026
VLEN: Bashkimi në një subjekt të vetëm dëshmi e forcimit politik, BDI në krizë të brendshme

Koalicioni VLEN ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në kampin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar se bashkimi i pesë partive në një subjekt të vetëm politik përbën “një arritje historike dhe një forcë të re më të konsoliduar”.

Nga VLEN thonë se më 9 maj u dëshmua e kundërta e asaj që, sipas tyre, është propaganduar prej dy vitesh, duke theksuar se subjekti jo vetëm që nuk u shpërbë, por u unifikua politikisht. “VLEN shpreh mirëkuptim për panikun në BDI, i cili buron nga një realitet i ri politik”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, përpjekjet e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, për bashkimin e partive të koalicionit AKI në një subjekt të vetëm politik kanë dështuar që në fillim, pasi partnerët politikë kanë refuzuar një iniciativë të tillë. VLEN këtë e konsideron si dëshmi të krizës së brendshme në kampin politik të BDI-së.

Në reagim thuhet se përballja politike tashmë është mes “të resë dhe të vjetrës”, ku VLEN paraqitet si forcë me vizion për reforma dhe zhvillim, ndërsa BDI si subjekt “i pareformuar dhe i zhytur në skandale”.

“Pika qendrore e VLEN është shqiptari në Maqedoninë e Veriut, dinjitoz, i barabartë dhe institucionalisht i fuqishëm”, thuhet më tej në deklaratë. Nga ky subjekt theksojnë se angazhimi i tyre mbetet për përfaqësim real të shqiptarëve në të gjitha institucionet dhe për barazi që zbatohet në praktikë.

VLEN nënvizon se do të angazhohet që të drejtat e shqiptarëve të mos mbeten simbolike apo objekt pazari politik, duke kërkuar zbatim të plotë të gjuhës shqipe, përfaqësim të drejtë dhe qasje të barabartë në institucionet shtetërore.



Të ndryshme
Më shumë
Dorëzohet Basha, PD rimerr simbolet dhe faqen zyrtare në Facebook 3 March 2026
Kastriot Islami: Rama në lidhje sekrete me Vuçiqin për të krijuar “Serbinë e madhe”28 September 2021
Mbështetja për anëtarësinë në NATO bie në Mal të Zi, rritet ndikimi proruso25 October 2025