Të qenit prind vazhdon të perceptohet si një nga sfidat më rraskapitëse të jetës moderne, ndërsa shkencëtarët po rishqyrtojnë idenë se mungesa e gjumit ka qenë gjithmonë pjesë e prindërimit. Sipas një analize të publikuar nga BBC, shumë prindër sot raportojnë lodhje të vazhdueshme, edhe pse në disa raste flenë brenda normave të rekomanduara. “Është jashtëzakonisht e lodhshme”, shkroi një prind në një forum në Reddit, ndërsa qindra të tjerë ndanë të njëjtin përjetim. Ekspertët theksojnë se lodhja nuk lidhet vetëm me gjumin, por edhe me mungesën e mbështetjes familjare dhe presionin për të balancuar punën me rritjen e fëmijëve. Një studim në Gjermani zbuloi se nënat e reja flenë mesatarisht një orë më pak gjatë tre muajve të parë pas lindjes, ndërsa baballarët humbasin rreth 20 minuta gjumë. Megjithatë, edhe pas disa vitesh, shumë prindër nuk arrijnë ta rikuperojnë plotësisht ritmin e mëparshëm të gjumit. Të dhënat nga SHBA dhe Franca tregojnë se shumica e prindërve kalojnë nga tetë deri në nëntë orë në shtrat çdo natë, por ndihen më të rraskapitur krahasuar me shoqëritë tradicionale gjuetare-mbledhëse, ku njerëzit flinin më pak, por raportonin më pak lodhje. Shkencëtarët besojnë se pritjet e larta për “gjumë perfekt”, ritmi i shpejtë i jetës moderne dhe mungesa e komunitetit mund të jenë arsyet kryesore pse prindërit e sotëm ndihen më të konsumuar emocionalisht dhe fizikisht.
Burimi: Klankosova