Avokatja e 21-vjeçares që ka denoncuar mjekun Nikolla Nunka në Korçë ka deklaruar se ndaj tij kanë mbërritur edhe kallëzime të tjera për raste të ngjashme abuzimi seksual, disa prej të cilave, sipas saj, datojnë prej 33 vitesh.
Avokatja Refxhei Tola u shpreh para mediave se bëhet fjalë për një fenomen të përsëritur, duke ngritur shqetësime për mënyrën se si mjeku ka vijuar të ushtrojë profesionin për kaq vite në sistemin spitalor.
“Ky është një rast i përsëritur që e bën edhe më të rëndë situatën, se si ka mundur të qëndrojë kaq gjatë një mjek në sistemin spitalor dhe të japë shërbim për vajza dhe djem”, deklaroi ajo.
Sipas saj, denoncimi i 21-vjeçares ka inkurajuar edhe gra të tjera të flasin për përvojat e tyre, ndërsa theksoi se ka indicie që mjeku ka ndjekur të njëjtën praktikë ndaj pacienteve që i janë drejtuar për vizita mjekësore.
Tola kritikoi edhe mungesën e masave administrative nga institucionet shëndetësore, duke pretenduar se ka pasur sinjale të vazhdueshme për sjelljen e mjekut, por pa reagim konkret.
Ajo apeloi që gratë dhe vajzat që pretendojnë se janë abuzuar të denoncojnë rastet, duke garantuar mbështetje ligjore dhe anonimatin e tyre. “Mendoj që është koha që drejtësia të reagojë dhe të japë shembullin se raste të tilla nuk duhet të tolerohen më”, u shpreh avokatja.