Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi sot në konferencë për shtyp se deklarata e fundit e Presidentes Gordana Siljanovska Davkova për Marrëveshjen e Prespës është një pranim i hapur se VMRO-DPMNE-ja ka mashtruar qytetarët me vite. Filipçe kujtoi se Siljanovska kishte premtuar publikisht se "nuk do ta përmendte kurrë Maqedoninë e Veriut," ndërsa Mickoski kishte pohuar se Marrëveshja e Prespës "nuk ishte një punë e mbaruar."
"Çfarë ndodhi tani? Presidentja Gordana Siljanovska Davkova deklaroi publikisht se Marrëveshja e Prespës konfirmon dhe ruan identitetin kombëtar maqedonas," tha Filipçe, duke e cilësuar këtë si kthesë të plotë nga pozicionet e dikurshme të partisë në pushtet.
Kryetari i LSDM-së akuzoi VMRO-DPMNE-në se ka ushtruar "një propagandë shumë të fortë" duke përdorur mediat, "fermën e trollëve të importuar nga partia simotër SNS nga Serbia" dhe platformat bot. "Me një propagandë shumë të fortë, u servir çdo ditë, përmes të gjithë medias dhe makinerisë partiake," tha ai.
Filipçe i kërkoi drejtpërdrejt Kryeministrit Mickoski të dalë para opinionit dhe të kërkojë falje, "I kërkoj Hristijan Mickoskit të dalë dhe të kërkojë falje në emër të tij dhe në emër të partisë së tij. Kur ai dinte të gjunjëzohej dhe të lutej të vinte në pushtet, tani mund të dalë dhe të kërkojë falje për gënjeshtrat dhe propagandën që ka bërë me vite."