AC Milani po kalon një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit, i bllokuar mes audicioneve për trajnerin e ri, largimeve të mundshme të lojtarëve kyç dhe mungesës së një drejtimi të qartë institucional.
Situata është alarmante, Leao bëri të ditur lamtumirën nga Portugalia, Modric do të thotë "mjaft" pas Botërorit, ndërsa Rabiot duket se po përgatitet për kalim te Napoli bashkë me Allegrin, për të cilin kuqezinjtë duhet të studiojnë çështjen e dëmshpërblimit. Nxehtësia e qershorit po e shkrin Milanin dhe lind dilema, nga duhet të rinisë nëse tre lojtarët më të mirë i largohen?
Gjendja bëhet edhe më e ndërlikuar kur mes kandidatëve për trajner shfaqet edhe emri i Arne Slot, i shkarkuar nga Liverpool pas një vendi të pestë në Premier League me 53 gola të pësuar. Emri i Milanit nuk josh si dikur, kjo është e qartë, pjesa tjetër vjen si pasojë.
Riformimi i mesfushës nga e para, i vetmi repart që ishte në lartësinë e duhur këtë sezon, nuk do të ishte një mënyrë e mirë për të rinisur. Përveç Rabiot dhe Modric, edhe Ricci e Jashari mund të ndryshojnë ambient. Frika është se Milani, nga drejtuesit deri në fushë, do të duhet të ndërtohet nga zero, një bast i madh që, si një shaka e fatit, Ibrahimovic do të donte ta vinte mbi Slot.
Tifozët milanistë janë të zemëruar dhe Botërori që do të marrë me vete edhe Zlatan Ibrahimovic, njeriun e besuar të Cardinales, po afron. Ka një javë apo më pak kohë për të vendosur diçka në vend, përndryshe "paralizë" prej një muaji duket e pashmangshme.