Në Teatrin e Tetovës nesër shfaqet komedia “Dramë për të qesh” e cila është me tekst dhe regji të Sulejman Rushitit, ndërsa marrin pjesë aktorët e Teatrit të Tetovës.
Asistente e regjisorit të kësaj komedie është Linda Shabani, ndërsa kostumografia e shfaqjes është përgatitur nga Azra Mehmedi.
Sipas aktorëve Linda Shabani dhe Arsim Kaleci, shfaqja ka të bëj me shfaqjen brenda shfaqjes, sepse në rol kryesor është një aktor i cili është i kapur politikisht.
“Teksti Dramë për të qesh është shkruar nga profesori Sulejman Rushiti dhe ka të bëj me aktualitetin e sotëm. Ka përplasje karakteresh përplasje egosh apo lufta për pushtet. Me këtë shfaqje duam të përcjellim mesazhin se jo gjithnjë luftohet për karrige role apo poste sepse nuk janë të përhershme. Ka shumë situata komike dhe besoj që do e pëlqej publiku”, tha Linda Shabani, aktore.
“Në këtë shfaqje janë një mori karakteresh të luajtura me mjeshtëri nga kolegët aktor, karaktere që më hyrje daljet e tyre dhe situatat apo dialogët komike që bëjnë mbajnë pezull vëmendjen e publikut., një ndër këto karaktere jam unë, pra një aktor që ka bë karrierë përmes mbështetjes së partive politike, pra e ka shpirtin e shitur si njeri dhe artist tek politika, dhe për të më e rëndësishme është vetë kryetari i partisë se sa roli apo shfaqja dhe vetë teatri”, u shpreh Arsim Kaleci, aktor.