Një mbrëmje e veçantë kushtuar ikonës së kinematografisë shqiptare, Robert Ndrenikës, mblodhi kineastë, artistë dhe artdashës në premierën e filmit dokumentar që i kushtohet jetës dhe veprës së tij.
Dokumentari, me regji të Namik Ajazit dhe Iva Garos, sjell për publikun një këndvështrim ndryshe mbi aktorin e njohur, duke e paraqitur jo vetëm përmes roleve që e bënë të pavdekshëm në ekran, por edhe përmes portretit të tij njerëzor në jetën e përditshme. Miq dhe bashkëpunëtorë të afërt ndajnë kujtime dhe rrëfime që zbulojnë anë më pak të njohura të artistit.
Gjatë mbrëmjes, vetë Robert Ndrenika falënderoi shkurt të pranishmit për vlerësimin dhe respektin e treguar ndaj figurës së tij.
Në të njëjtin aktivitet, aktori i shquar u nderua edhe me titullin “Mirënjohje e Tiranës”, akorduar nga “Shoqata Tirana”, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin dhe kulturën shqiptare.
Filmi dokumentar “Robert Ndrenika” pati premierën në Kinema Millenium, duke sjellë emocione dhe vlerësime të shumta nga publiku i pranishëm.
Burimi: tvklan.al