Nga Rajoni
2 June 2026
“Festë n’Shesh” në Kanada, ambasadorja Kosta Malo: Le të mbizotërojë shqiptaria dhe ngjyrat kuq e zi

Ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Artemis Kosta Malo, ka përshëndetur edicionin e parë të aktivitetit “Festë n’Shesh”, një nismë e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kanada dhe Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Toronto, në bashkëpunim me shoqatat dhe bizneset shqiptaro-kanadeze.

Në fjalën e saj, Kosta Malo theksoi se aktiviteti synon të afrojë komunitetin shqiptar, të promovojë kulturën, traditat dhe vlerat kombëtare, si dhe t’i prezantojë ato para miqve ndërkombëtarë. Ajo u shpreh se “Festë n’Shesh” lindi nga dëshira e përbashkët e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë dhe Kosovës për të krijuar një hapësirë ku muzika, vallet, gastronomia dhe traditat shqiptare të flasin gjuhën e identitetit, krenarisë dhe miqësisë.

Ambasadorja nënvizoi se projekti është pjesë e marrëveshjes së përbashkët Shqipëri-Kosovë në fushën e programeve kulturore të diasporës dhe paralajmëroi se së shpejti do të organizohet edhe Seminari i Gjuhës Shqipe.

Duke vlerësuar rolin e diasporës shqiptare në Kanada, ajo tha se komuniteti shqiptar ka ditur të ruajë identitetin dhe traditat e tij, ndërsa ka kontribuar në zhvillimin dhe diversitetin e shoqërisë kanadeze. “Diaspora shqiptare në Kanada është një urë e çmuar që lidh atdheun me të ardhmen, rrënjët me mundësitë e reja dhe vendlindjen me vendin që e ka mirëpritur”, deklaroi ajo.

Në përmbyllje të fjalës së saj, Kosta Malo bëri thirrje për unitet kombëtar, duke theksuar se “ka ardhur momenti të dëshmojmë fuqinë e bashkimit, të mos jemi më peng i së shkuarës apo i interesave personale, por të mbizotërojë në zemrat tona veç shqiptaria dhe ngjyrat kuq e zi”.

Ajo falënderoi artistët, vullnetarët, sponsorët dhe të gjithë kontribuuesit në organizimin e aktivitetit, duke shprehur bindjen se “Festë n’Shesh” do të shndërrohet në një traditë të bukur që do të vazhdojë të bashkojë komunitetin shqiptar dhe të promovojë kulturën shqiptare në Kanada edhe në vitet e ardhshme.



Të ndryshme
Më shumë
Jennifer Lopez shokon me ‘look-un’ e saj të ri!14 October 2021
Strategjia për liberalizim dhe zhvillim të tregjeve financiare dhe çështja e kriptovalutave 2 September 2021
BESA depërton thellë në oborrin e integristëve – Në Reçicë të Vogël plot votues me Kasamin28 June 2021