Nga Bota
26 September 2026
Rihapet hetimi për vrasjen e gazetares së BBC-së në vitin 1999 - autori dyshohet se është krimineli serb, "Legija"

Policia britanike ka nisur një hetim të ri për vrasjen e prezantueses së BBC-së, Jill Dando, 27 vjet pas krimit që ende mbetet i pazbardhur.

Hetuesit po rishqyrtojnë pamjet e kamerave të sigurisë nga stacioni i metrosë Putney Bridge në Londër, ku ishte filmuar një person i dyshuar rreth 20 minuta pasi Dando ishte qëlluar për vdekje pranë shtëpisë së saj.

Pamjet janë rishikuar falë përparimeve të reja në teknologjinë e përpunimit të imazheve. Policia shpreson të përcaktojë më qartë identitetin e personit të filmuar.

Hetimi i ri vjen pas një investigimi trevjeçar të gazetës Mirror, e cila ka ngritur dyshime se personi i filmuar mund të ketë ngjashmëri me Milorad Ulemekun - Legijan, ish-pjesëtar i Legjionit të Huaj Francez dhe figurë e njohur e botës paramilitare serbe.

Dy dëshmitarë kanë deklaruar më parë për Mirror se besojnë se personi që panë pranë vendit të vrasjes mund të ketë qenë Ulemeku.

EXPAND

Një analist i videove forenzike ka vënë në dukje ngjashmëri mes personit të filmuar dhe Ulemekut, përfshirë formën e gojës, mjekrës, vijës së flokëve, hundës dhe veshit.

Jill Dando, 37 vjeçe, u vra më 26 prill 1999, kur u qëllua me një plumb në kokë teksa po hynte në shtëpinë e saj në Fulham të Londrës.

Në atë kohë, Britania e Madhe dhe NATO po zhvillonin sulme ajrore kundër Jugosllavisë. Një ditë pas vrasjes, BBC-ja mori një telefonatë ku pretendohej se krimi ishte hakmarrje për sulmet ndaj Serbisë. Megjithatë, hetuesit dyshuan se telefonata mund të kishte qenë mashtrim.

Barry George u dënua për vrasjen në vitin 2001 dhe kaloi tetë vjet në burg, por dënimi i tij u anulua dhe ai u shpall i pafajshëm pas rigjykimit në vitin 2008.

Ulemeku aktualisht po vuan një dënim 40-vjeçar në Serbi për përfshirjen në vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stamboliq dhe ish-kryeministrit Zoran Gjingjiq. Deri tani, nuk ka prova publike që e lidhin atë me vrasjen e Dandos.

Policia Metropolitane ka deklaruar se hetimi mbetet në vazhdim dhe se përparimet në teknologjinë e përmirësimit të pamjeve CCTV u kanë mundësuar hetuesve të rishqyrtojnë materialin origjinal. 



Të ndryshme
Më shumë
Maqedoni, numri i hospitalizimeve tejkaloi shifrën prej 1000 – virusi nuk zgjedh moshë31 August 2021
Përlotet Adelina Tahiri, ja lidhja që kishte me vajzën e re që ndërroi jetë në spitalin e Tetovës (VIDEO)10 September 2021
Filipçe: Për momentin nuk planifikohen masa të reja kufizuese 4 October 2021