Lëvizja studentore dhe DemocracyLab organizuan sot një debat publik me temë "(Mos)zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve: Zgjidhjet dhe Pasojat", me pjesëmarrjen e profesorëve universitarë dhe ish-ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, shkruan Portalb.mk.
Organizatori i protestave, studenti Mevlan Ademi, deklaroi se pavarësisht takimeve me liderët më të lartë shtetërorë dhe premtimeve për zgjidhje, kaluan muaj të tërë pa asnjë rezultat. "Kur u shterën të gjitha rrugët institucionale, ne dolëm në rrugë për të kërkuar drejtësi, jo kundër shtetit, por duke i kërkuar shtetit të zbatojë ligjet e veta. Ne nuk kërkojmë privilegje, por drejtësi. Nuk pranojmë kompromise dhe zgjidhje gjysmake. Gjërat me të cilat po përballemi ne sot janë të njëjtat me të cilat janë përballur edhe prindërit tanë," tha Ademi.
Kryetari i DemocracyLab, Sefer Selimi, theksoi se synojnë të krijojnë një platformë për ekspertë, duke shtuar: "Ne duam të shohim një Maqedoni të Veriut ku ligjet zbatohen në tërësi dhe jo në mënyrë selektive," duke nënvizuar se kjo betejë nuk duhet parë si përplasje politike, por si e drejtë themelore e qytetarëve.
Profesori universitar Mersim Maksuti vuri në dukje se "zhurma që po bëhet është e panevojshme", pasi ligji është i qartë. "Gjuha shqipe është e barabartë me gjuhën maqedonase, përveç në komunikimin ndërkombëtar. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ka bazë të fortë juridike dhe nga dispozitat e tij nuk duhet të hiqet asnjë nen," shtoi ai.
Profesoresha Vlona Pollozhani theksoi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2018 dhe që hyri në fuqi në vitin 2019, "përbën një tërësi dhe një arkitekturë të plotë të dygjuhësisë institucionale", duke garantuar të drejta konkrete dhe duke përcaktuar obligime të qarta për institucionet, si dhe masa ndëshkuese për moszbatim.