Elon Musk ka hyrë në histori si personi i parë në botë që arrin një pasuri neto prej mbi 1 trilion dollarësh, pas rritjes së jashtëzakonshme të vlerës së kompanisë së tij SpaceX, e cila tejkaloi vlerën prej 2 trilionë dollarësh në treg.
Sipas raportimeve, pasuria e Musk-ut vlerësohet aktualisht në rreth 1.2 trilion dollarë, duke e vendosur atë dukshëm përpara emrave më të njohur të botës së biznesit dhe teknologjisë.
Duke kujtuar fillimet e kompanisë së tij hapësinore, Musk kishte deklaruar se nuk ishte i sigurt për suksesin e projektit. “I dhashë SpaceX më pak se 10 për qind shanse për të pasur sukses. Në fakt, u thashë njerëzve se ndoshta do të dështojmë, por duhet ta provojmë, sepse nëse nuk e bëjmë, nuk do të jemi kurrë një qytetërim vërtet hapësinor”, kishte thënë ai.
Rritja e pasurisë së Musk-ut lidhet kryesisht me suksesin e SpaceX dhe Tesla-s, të cilat gjatë viteve të fundit kanë shënuar rritje të konsiderueshme të vlerës. Në janar të vitit 2020, ai renditej vetëm në vendin e 35-të në listën e njerëzve më të pasur në botë, me një pasuri prej rreth 28 miliardë dollarësh.
Sot, me një pasuri rekord, Musk kryeson bindshëm listën globale të miliarderëve, duke lënë pas figura të njohura të teknologjisë dhe biznesit si Larry Page, Sergey Brin, Jeff Bezos dhe Bernard Arnault.