Manastiri historik Kyiv-Pechersk Lavra në Kiev, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është dëmtuar gjatë sulmeve ajrore që goditën kryeqytetin ukrainas. Një pjesë e fasadës së kompleksit është shkatërruar, ndërsa çatia ka pësuar dëmtime të konsiderueshme. Autoritetet ukrainase e cilësuan goditjen si një sulm ndaj trashëgimisë kulturore dhe fetare të vendit. Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se, "sulmi ndaj katedrales përbën një agresion kundër komunitetit të krishterë dhe trashëgimisë kulturore të njerëzimit. Nuk mund të ketë asnjë justifikim për këtë apo për ndonjë sulm tjetër të ngjashëm rus", duke bërë thirrje për mbështetje më të madhe ndërkombëtare ndaj Ukrainës. Edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, reagoi ashpër, duke thënë se, "Putini po mbështetet te terrori dhe jo te diplomacia", ndërsa u kërkoi vendeve të G7 dhe Evropës të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe presionin ndaj Rusisë. Sulmi u dënua edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili deklaroi se, "asgjë nuk e justifikon këtë sulm ndaj trashëgimisë sonë universale", ndërsa ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani e cilësoi goditjen ndaj një objekti të mbrojtur nga UNESCO si "jashtëzakonisht të rëndë". Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi përgjegjësinë, duke këmbëngulur se nuk shënjestron infrastrukturën civile. Sipas Moskës, dëmtimi i kishës mund të jetë shkaktuar nga një raketë e sistemit ukrainas të mbrojtjes ajrore Patriot.