Një valë e fortë e të nxehtit ka përfshirë një pjesë të madhe të Europës, duke detyruar autoritetet në disa qytete të marrin masa për mbrojtjen e qytetarëve, ndërsa sinoptikanët paralajmërojnë temperatura edhe më të larta gjatë fundjavës. Në Firence është shpallur alarm portokalli, pasi temperaturat kanë arritur deri në 37 gradë Celsius, ndërsa ekziston mundësia që situata të përshkallëzohet në alarm të kuq. Autoritetet kanë hapur dhjetëra hapësira publike, përfshirë biblioteka, parqe dhe kopshte, ku qytetarët dhe vizitorët mund të gjejnë hije dhe ujë të pijshëm. Edhe Parisi po përballet me temperatura ekstreme, të cilat pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius në ditët në vijim. Ekspertët meteorologjikë theksojnë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe po shfaqen më herët se zakonisht, si pasojë e ndryshimeve klimatike. Ndërkohë, temperaturat e larta kanë ndikuar edhe në Gjermani, ku në kopshtin zoologjik të Dortmundit janë marrë masa të posaçme për mbrojtjen e kafshëve, ndërsa në qytete si Mynihu dhe Darmstadti banorët kanë kërkuar freski pranë lumenjve ose kanë shmangur daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës.