Krerët e koalicionit VLEN zhvilluan një vizitë pune në Komunën e Dibrës, ku inspektuan nga afër realizimin e disa projekteve infrastrukturore që synojnë përmirësimin e kushteve për qytetarët dhe zhvillimin e zonës. Në vizitë morën pjesë bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Mimoza Musa, të shoqëruar nga kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela. Një nga projektet kryesore të vizituara ishte ndërtimi i parkingut të ri në qendër të qytetit, me kapacitet prej 250 vendeve të parkimit dhe vlerë rreth 350 mijë euro, investim që financohet tërësisht nga buxheti i komunës. Sipas drejtuesve lokalë, ky projekt pritet të lehtësojë ndjeshëm problemet e komunikacionit në zonën qendrore. Duke folur për projektet në zhvillim, Izet Mexhiti tha se, "Ky është vetëm një nga projektet që po realizohen aktualisht në Dibër. Krahas tij, në qytet po zhvillohen edhe investime të tjera të rëndësishme që po ndryshojnë infrastrukturën dhe po krijojnë kushte më të mira për qytetarët." Ai shtoi se gjatë vizitës u riafirmua edhe projekti "One Stop Shop" në Bllatë dhe Qafë Thanë, duke theksuar se, "Ky është një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, si dhe forcimit të lidhjeve mes qyteteve dhe rajoneve tona. Kur investimet shihen në terren dhe projektet ecin sipas planit, zhvillimi nuk mbetet vetëm temë diskutimi, por bëhet pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve."