Nga Vendi
21 June 2026
Nga 1 korriku ndalohet lëvizja në pyje pa leje, Angelov: Resurset mund të mos mjaftojnë në rast të zjarreve të mëdha

Nga 1 korriku do të hyjë në fuqi ndalimi i lëvizjes nëpër pyje pa leje përkatëse, si masë për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit veror. Vendimi është marrë nga Qeveria për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar nga zjarret në hapësirat pyjore. Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, deklaroi se institucionet janë të përgatitura për sezonin e zjarreve, por paralajmëroi se kapacitetet ekzistuese mund të mos jenë të mjaftueshme në rast të zjarreve të mëdha. “Edhe këtë vit jemi të organizuar. Të gjitha resurset që i posedojmë, duke përfshirë personelin, automjetet, aeroplanët dhe helikopterët, do t’i kemi në dispozicion. Por, nëse përballemi me zjarre të mëdha, këto resurse mund të mos mjaftojnë, ashtu siç ndodh edhe në shtete më të fuqishme si Greqia dhe Turqia”, tha Angelov. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, të tregojnë kujdes gjatë qëndrimit në natyrë dhe të raportojnë menjëherë çdo rast që mund të paraqesë rrezik. Shkelësit do të përballen me masa dhe sanksione sipas ligjit. Sipas institucioneve, masa synon mbrojtjen e pyjeve dhe parandalimin e dëmeve ekologjike gjatë verës. Vetëm gjatë vitit të kaluar në vend u regjistruan mbi 130 zjarre pyjore, ku u dogjën rreth 95 mijë hektarë pyje dhe sipërfaqe me bimësi. Burimi: Alsat.mk



Të ndryshme
Më shumë
Maqedoni: 10 pacientë të rinj janë hospitalizuar për shkak të coronavirusit17 June 2021
Vucas: Për hyrje në Austri duhet çertifikatë shëndetësore ose karantinë të detyrueshme 14-ditore15 May 2020
Vazhdohen masat aktuale për hyrje në Greqi nga Maqedonia e Veriut23 July 2021