Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se bisedimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të vazhdojnë nga e hëna, por pas takimit të zhvilluar mbrëmjen e kaluar në Kuvend, ai u shpreh se është më pak optimist për arritjen e një konsensusi, njofton TV21. Sipas Mickoskit, partitë opozitare po e bllokojnë qëllimisht procesin, me synimin që të mos përmbushen të gjithë indikatorët e Agjendës Reformuese. Ai theksoi se shumica qeverisëse është e gatshme të pranojë propozime të ndryshme, përfshirë një njësi zgjedhore dhe rritjen e buxhetit për partitë më të vogla, vetëm që të miratohen ndryshimet në Kodin Zgjedhor. "Jemi të gatshëm të pranojmë gjithçka, edhe një njësi zgjedhore, edhe buxhet më të madh për ato parti që nuk janë në katër më të mëdhatë. Nëse e kanë deri te paratë, le të jetë edhe kjo, vetëm ta kalojmë Kodin Zgjedhor", deklaroi Mickoski. Ai shtoi se nëse nuk arrihet marrëveshje, vendi do të përmbushë "9 nga 10 indikatorët" e Agjendës Reformuese, duke theksuar se nuk dëshirojnë ta miratojnë ligjin me procedurë të përshpejtuar përmes flamurit evropian. Mickoski ritheksoi gjithashtu se për VMRO-DPMNE mbetet objektiv strategjik rritja e pjesëmarrjes së diasporës në votime, duke shtuar se janë të gatshëm të pranojnë edhe votimin me postë në vend të atij elektronik. Burimi: TV21