Nëna e njërës prej 15-vjeçareve të përfshira në dhunimin e 17-vjeçares në Fier ka deklaruar para Gjykatës së Fierit se vajza e saj ndodhet e shtruar në spital psikiatrik dhe se familja nuk ka informacion të plotë për gjendjen shëndetësore apo trajtimin që po merr. Ajo kërkoi mirëkuptim për situatën dhe u shpreh e shqetësuar për gjendjen e së miturës. “Nuk di asgjë për gjendjen shëndetësore të vajzës. Jam shqetësuar shumë. Në spital e kam takuar dy herë, më duket jo aq mirë. Nuk e di nëse është në dijeni të pamjeve që janë bërë virale. Dua kurim të plotë për vajzën, e kam kërkuar në gjykatë kurimin për vajzën”, tha ajo. Sipas saj, familja kishte kërkuar ndihmë për problemet e vajzës që një vit më parë, por pretendon se nuk mori mbështetjen e nevojshme nga shkolla. “Kur ishim tek shkolla bashkë me bashkëshortin, ‘Zhduku jashtë’, na tha drejtoresha kur i treguam për problemet e vajzës”, deklaroi nëna. Ndërkohë, në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier u paraqitën 19-vjeçarja Lionela Lamaj dhe dy 15-vjeçaret për verifikimin e masave të sigurisë. Lamaj dyshohet për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim, ndërsa dy të miturat janë nën hetim në kuadër të të njëjtit procedim penal.