Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se Shqipëria nuk do të përdorë të drejtën e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian, edhe nëse bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Deklarata u bë gjatë kampit “RinCamp 2026”, që po zhvillohet në Jalë, ku marrin pjesë të rinj edhe nga Maqedonia e Veriut. Duke iu përgjigjur pyetjes së një studenti nga Shkupi, Rama theksoi se ka qenë gjithmonë kundër përdorimit të vetos në procesin e zgjerimit të BE-së, duke nënvizuar se ky mekanizëm pengon integrimin evropian dhe nuk i shërben askujt. Ai shtoi se procesi i zgjerimit duhet të mbështetet në bashkëpunim dhe solidaritet mes vendeve aspirante dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, e jo në pengesa që ngadalësojnë rrugën drejt anëtarësimit.