Teknologji
14 July 2026
Rrjetet sociale, ndalimi për të miturit nuk po funksionon në Australi

Masat për të kufizuar aksesin e të miturve në rrjetet sociale në Australi nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme, ndërsa përvoja e këtij vendi po ndiqet me vëmendje edhe nga Bashkimi Evropian, i cili po përgatit kufizime të ngjashme për të gjithë bllokun. Një studim i ekspertëve zbuloi se të rinjtë nën moshën 16 vjeç mund t’i anashkalojnë lehtësisht rregullat duke deklaruar një moshë të rreme gjatë krijimit të llogarive. Gjatë testimit të 50 llogarive, asnjë prej platformave nuk kërkoi verifikim të moshës, megjithëse përdoruesit kishin deklaruar se ishin 16 vjeç. “Duhej të na kërkohej të provonim moshën tonë, por nuk na u kërkua asnjëherë të verifikonim identitetin apo të përdornim ndonjë metodë konfirmimi të moshës”, deklaroi për Reuters Andrew Hammond nga kompania KJR. Sipas tij, llogaritë testuese vazhdojnë të jenë aktive në shumicën e platformave, përfshirë Instagram, Snapchat, TikTok dhe YouTube. Në një rast, një llogari në platformën X u ekspozua edhe ndaj përmbajtjeve pornografike. Nga ana tjetër, Meta theksoi se verifikimi i moshës zbatohet vetëm kur sjellja e përdoruesit krijon dyshime se ai është i mitur, ndërsa platforma Kick deklaroi se vlerësimi i moshës bazuar në aktivitetin online mbetet i vështirë për t’u realizuar. Ekspertët vlerësojnë se boshllëku kryesor qëndron te pamundësia e sistemeve për të identifikuar përdoruesit e mitur që deklarojnë moshë të rreme. “Sot po shohim se shmangia e kufizimeve është bërë mënyra kryesore që përdorin të rinjtë”, tha Cole Gannon, ndërsa studiuesja Amanda Third u shpreh se fazat e ardhshme të testimeve mund të japin rezultate më domethënëse.



Të ndryshme
Më shumë
Krijuesi i Sputnik V paralajmëron për pasojat e mosvaksinimit21 June 2021
Angellov paralajmëron vërshime në Maqedoni17 September 2021
Tigri ha 41-vjeçarin në tualet, i gjenden vetëm rrobat dhe të brendshmet e përgjakura23 August 2021