Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila tha se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. Përmes një reagimi në platformën “X”, Hoxha e cilësoi këtë deklaratë si “të papranueshme, tronditëse dhe një fyerje të rëndë për viktimat e luftës”, duke theksuar se relativizimi i krimeve të rënda bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e sotme. Ai u shpreh se “askush nuk mund të ndërtojë besim duke rikthyer hijet më të errëta të së kaluarës, aq më pak duke lartësuar politika dhe figura që mbajnë përgjegjësi për tragjedi, vuajtje dhe krime”, ndërsa shtoi se deklarata të tilla dëmtojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim në rajon. Sipas Hoxhës, procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kërkon “përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t’u përballur me të kaluarën”, duke nënvizuar se e ardhmja evropiane mund të ndërtohet vetëm mbi të vërtetën, respektin për viktimat dhe angazhimin e sinqertë për pajtim. Reagimi i ministrit shqiptar erdhi pasi ministrja serbe Snezhana Paunoviç, në një intervistë për televizionin serb “Kurir”, deklaroi se, po të ishte në vend të Millosheviçit në vitin 1998, “do ta pastroja etnikisht Kosovën”, duke pretenduar se shqiptarët nuk duhej të ndiheshin pjesë e Serbisë, por të largoheshin drejt “shtetit të tyre amë”.