Nga Vendi
15 July 2026
SHGM dënon kërcënimet ndaj gazetarit Rami Mislimi, kërkon reagim urgjent të institucioneve

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka dënuar ashpër kërcënimet me jetë ndaj gazetarit të portalit “Tetova Sot”, Rami Mislimi, duke kërkuar nga institucionet që të veprojnë me urgjencë për zbardhjen e rastit dhe ndëshkimin e përgjegjësve. Sipas SHGM-së, ndaj gazetarit është paraqitur kallëzim në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë. Në reagim thuhet se, sipas kallëzimit, pas publikimit të një materiali gazetaresk, Mislimi fillimisht është kontaktuar në telefon nga kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Albi Qamili, i cili dyshohet se i ka drejtuar kërcënime serioze atij dhe fëmijës së tij të mitur, duke kërkuar fshirjen e publikimit. Më pas, sipas procesverbalit të MPB-së, gazetarit i është afruar një person që është prezantuar si vëllai i Albi Qamilit dhe i ka thënë, “Një kamerë nuk do të të mbrojë.” SHGM vlerëson se kërcënimet ndaj gazetarëve për shkak të punës së tyre profesionale përbëjnë sulm ndaj lirisë së mediave dhe të drejtës për informim. Shoqata u bën thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë që të hetojnë rastin në mënyrë të plotë dhe të zbatojnë dispozitat ligjore që u garantojnë gazetarëve mbrojtje të shtuar gjatë ushtrimit të detyrës. Në fund, SHGM thekson se do të ndjekë nga afër zhvillimet e rastit dhe do t'i ofrojë gazetarit Rami Mislimi mbështetje juridike dhe profesionale, duke apeluar që të ndalen kërcënimet, presionet dhe gjuha e urrejtjes ndaj punonjësve të mediave.



Të ndryshme
Më shumë
TOB organizoj një mbrëmje plot emocione në koncertin e Gëzim Nikës13 March 2026
Konjufca: Kandidati nga familja Jashari do të kishte konsensus automatik për president në Kosovë25 February 2026
Lirohet ish luftëtari i UÇK/ Kosova kërkon të rishikohen listat e Interpol nga Serbia 2 August 2020