Nga Rajoni
28 August 2020
KËRCËNIMET PARAZGJEDHORE MBI SHQIPTARËT NË MAL TË ZI

KËRCËNIMET PARAZGJEDHORE MBI SHQIPTARËT NË MAL TË ZI

Nga Merxhan JAKUPI

 

Lideri i Partisë Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, ka paralajmëruar se më 30 gusht, në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, do të mbrohen idealet dhe traditat liberale evropiane. Çanak pohon se opozita, Fronti demokratik i partive pro-serbe dhe pro-ruse pritet të provokojë incidente dhe inskenime të tjera. Kremlini ka ndarë dhjetëra milionë euro për agjentët rusë, organizatat dhe subjektet politike opozitare pro-ruse. Në më shumë mjete informative dhe rrjetet sociale, të lidhura me biznesmenë rusë, kanë bërë agjitim dhe propagandë anti-NATO dhe anti-BE. Dështimi i puçit dhe hyrja e Malit të Zi në NATO ka qenë thikë pas shpine për Putinin. Një ndër interesat gjeostrategjike të Moskës, pas Sirisë dhe Ukrainës, është Mali i Zi. Strategjia ideologjike dhe politike e Moskës është e fokusuar në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi dhe në ato më 3 nëntor në SHBA. Kremlini, duke parë përplasjet dhe zbehjen e aleancave transatlantike, me largimin eventual të Donald Trampit nga Evropa dhe Ballkani, Putin do ta fuqizojë angazhimin në Ballkan.

SI TË MBROHET KOSOVA NGA PODGORICA

 

Kancelarët evropianë në Bruksel janë të brengosur dhe janë të kapur me ethe, sa herë që mendojnë për zgjedhjet e 3 nëntorit në SHBA. Sipas revistës gjermane Der Spigel, Donald Tramp, shumicën e premtimeve i ka realizuar gjatë mandatit të tij. Po qe se në këto zgjedhje sërish fiton Donald Trampi, sipas disa analistëve, do të përfundojë epoka e aleancës dhe e partneritetit transatlantik, që do të thotë se do t'i vjen fundi Perëndimit. Së këndejmi, do të ishte iluzore të mendohet se Donald Trampi nëse fiton mandatin e dytë, do ta mbronte Kosovën, ashtu siç e mbrojti administrata e Klintonit, Xhorxh Bushit dhe e Barak Obamës. * * * Fitorja e opozitës pro-ruse dhe pro-serbe në Mal të Zi do të polarizonte dhe do ta ndryshonte kursin politik në Ballkan dhe rajon, si dhe do të fillonte retorika e forcave populiste e nacionaliste, ku më së shumti do të pësonin Kosova dhe Bosnja, ku mund të fillonte një konflikt sipas skemës së boshtit Moskë-Beograd-Banja Llukë. Qeveria e Podgoricës ka paralajmëruar se do ketë polarizim në këto zgjedhje. Opozita s'do t'i pranojë dhe do t'i shpall të pavlefshme. Do të ketë tensione, dhunë dhe skenarë për ta marrë pushtetin me dhunë. Është e qartë se Gjukanoviqi ka qeverisur me një dozë autoritarizmi dhe autokracizmi, por kjo qeveri qe afër 30 vjet ka bërë reforma dhe, Mali i Zi, përveç që është në NATO, është më afër BE-së nga të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Qeveria dhe lideri Gjukanoviq ka ushtruar presion mbi tradicionalistët pan-sllavistë pro-serbë për njohjen e Kosovës. Mali Zi e ka njohur Kosovën dhe ka qenë mike e shqiptarëve në Ballkan. Me shpalljen e pavarësisë, sipas Akademisë së Shkencave dhe Kishës Ortodokse Serbe, "Serbia ka humbur njërin sy!" Politika hegjemoniste, unitariste serbomadhe ka bërë që të gjithë ish-republikat jugosllave të distancohen dhe Serbia të ngel shtet i pa dëshiruar dhe inferior në marrëdhënie me fqinjët. Serbet këtë vere nuk mundeshin të shkojnë në bregdetin malazez dhe rivierën kroate. Ata më së shumti kanë kaluar pushimet në Shqipëri.

OPOZITA, "NE JEMI RUSËT E VEGJËL"

 

Sipas analizave dhe sondazheve, në zgjedhjet e së dielës, në Mal të Zi, do të fitojë lideri i Partisë Demokratike Socialiste, Milo Gjukanoviq, së bashku më subjektet e tjera pro-evropiane. Përveç këtyre partive që kanë qenë në koalicion me Gjukanoviqin, një rol të madh më herët kanë luajtur dhe kanë dhënë ndihmë konkrete shqiptarët dhe boshnjakët në këtë shtet. Vinin në përkrahje sanxhaklinjtë e Malit të Zi nga Rozhaja, Malësia e Madhe, Ulqini dhe diaspora, si nga Amerika, Australia dhe Evropa, për të votuar në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi. Por, në këto zgjedhje, shkaku i pandemisë, shumë mërgimtarë nuk do të vinë për të votuar. Zgjedhjet e së dielës, sipas analistëve, do të jenë kontradiktore, polarizuese dhe vendimtare, ku malaziasit do të vendosin nëse duan të shkojnë me Perëndimin apo me Lindjen. Partitë opozitare së bashku me frontin demokratik pro-serb, partitë pro-ruse, siç është "Za Buduqnost Crne Gore" (Për Ardhmërinë e Malit të Zi), si dhe mini-subjektet e bashkuara në Frontin opozitar anti-perëndimorë, kanë doktrinën kundër BE-së dhe NATO-s. Një ndër opozitarët është edhe lideri Driton Abazoviq, me origjinë shqiptare nga Rozhaja. Mediumet serbe dhe rrjetet sociale në Beograd dhe Banja-Llukë, sikundër edhe opozita malazeze, i kanë dhënë publicitet duke e ngritur në një lider, figurë karizmatike, pragmatike dhe vizionare. Ndërkaq, partitë shqiptare dhe boshnjake e kanë akuzuar për tradhti dhe e kanë quajtur me epitete fyese, si kolonist dhe çetnik. * * * Për zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, ekziston edhe një skenar i dytë, i kobshëm, për të fituar opozita pro-serbe dhe pro-ruse, e cila ka trumbetuar në fushatën parazgjedhore se nëse vjen në pushtet në Podgoricë, ka premtuar elektoratit të vet se do ta tërheq njohjen e Kosovës. Ata kanë deklaruar se njohja nga ana e Gjukanoviqit ka qenë një tradhti dhe turp për popullin malazias. Konsiderohet, nëse vijnë në pushet, forcat ultranacionaliste e populiste pro-ruse, në të ardhmen do të realizojnë projektin dhe platformën për realizimin e aspiratave për kthim në pansllavizëm, ortodoksi dhe traditat e vëllait të madh rus, duke dalë në publik me sloganin: "Ne jemi rusë të vegjël". 



Të ndryshme
Më shumë
Regjistrimi në Maqedoni, për nëntë ditë janë regjistruar mbi gjysmë milionë qytetarë14 September 2021
Grupi nga ‘Potoki’ arrin në qendër të Tetovës, priten edhe grupet tjera 14 August 2020
Krejtësisht nudo në rrugët e qytetit, prokurori në gjendje të dehur del për të blerë birrë14 September 2021