Nga Rajoni
19 July 2026
Leku i mbiçmuar? Analiza: Deri në 40% e forcimit nuk shpjegohet nga turizmi, IHD apo remitancat

Një analizë mbi ecurinë e kursit të këmbimit të lekut ngre pikëpyetje mbi arsyet reale të forcimit të monedhës shqiptare gjatë viteve 2020–2025, duke argumentuar se treguesit zyrtarë të ekonomisë nuk e shpjegojnë plotësisht këtë fenomen. Autori i analizës i referohet edhe shprehjes së Albert Einstein, “Jo çdo gjë që ka vlerë numërohet dhe jo çdo gjë që numërohet ka vlerë”, duke e lidhur atë me debatin për mbiçmimin e lekut. Sipas analizës, modelimi ekonometrik i Bankës së Shqipërisë tregon se vetëm 23% e paqëndrueshmërisë dhe vlerësimit strukturor të lekut gjatë periudhës 2020–2025 lidhet drejtpërdrejt me të ardhurat nga turizmi. Ndërkohë, edhe investimet e huaja direkte nuk rezultojnë të kenë pasur ndikim domethënës, pasi koeficienti i korrelacionit Pearson mes rritjes së tyre dhe forcimit të lekut është negativ, në nivelin -0.3588. Analiza vlerëson se remitancat paraqesin lidhjen më të fortë pozitive me mbiçmimin e lekut, me një korrelacion rreth 0.75, por thekson se pesha e tyre nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar plotësisht forcimin e monedhës kombëtare. Sipas autorit, analiza ekonometrike tregon se nga 25% deri në 40% e mbiçmimit të lekut mbetet e pajustifikuar nga të ardhurat nga turizmi, investimet e huaja direkte dhe remitancat që kalojnë përmes kanaleve zyrtare. Për këtë arsye, ngrihet dyshimi se ekzistojnë flukse të tjera valutore në ekonominë jozyrtare, të cilat mund të kenë ndikuar në kursin e këmbimit. Në analizë theksohet gjithashtu se edhe vetë Banka e Shqipërisë e cilëson fenomenin si "mbiçmim" të lekut. Autori argumenton se, bazuar në paritetin e fuqisë blerëse, një monedhë konsiderohet e mbiçmuar kur tregtohet më shtrenjtë sesa justifikojnë bazat ekonomike dhe fuqia blerëse, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të japin shpjegime të argumentuara mbi faktorët që kanë çuar në këtë situatë.



Të ndryshme
Më shumë
Ohër/ I vuri flakën motoskafit të vëllaut, arrestohet 52-vjeçari 9 September 2025
PDK: I kemi nënshkrimet, do ta dërgojmë në Kushtetuese shkarkimin e Dakës17 June 2021
Nuhi Neziri kandidat i BDl-së pe?r Komune?n e Tearce?s29 June 2021