Këngëtari Labinot Tairi ka bërë të ditur përmes një postimi në Instagram se, duke filluar nga ky sezon dhe për aq kohë sa do të jetë aktiv në muzikë, do të ndajë 150 euro nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë për Roelin, djalin e artistit të ndjerë Shpat Kasapi. Tairi ka kujtuar miqësinë me Shpat Kasapin, duke theksuar se e ka ndihmuar edhe më herët familjen e tij në mënyrë private, ndërsa tani ka vendosur ta bëjë këtë mbështetje të vazhdueshme publike. "Nga ky sezon e tutje, dhe për sa kohë Zoti ma jep mundësinë të punoj, nga çdo mbrëmje muzikore dhe dasmë do t'i ndaj nga 150 euro për Roelin, për shëndetin e tij dhe për ditët e jetës së tij", ka shkruar ai. Sipas këngëtarit, mjetet do t'i dërgohen Selvies, nënës së Roelit, e cila kujdeset për të. Ai ka shtuar se i kishte dhënë më herët fjalën Big Mamës dhe Xenit se do ta merrte këtë vendim dhe se tani po e mban premtimin. Në postimin e tij, Labinot Tairi u ka bërë thirrje edhe kolegëve artistë që ta mbështesin familjen e Shpat Kasapit jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra konkrete. Ai ka falënderuar gjithashtu artistët dhe njerëzit që, sipas tij, kanë ndihmuar tashmë familjen, mes tyre Ermal Fejzullahun, Big Mamën, Burak Vehapi, Pandora dhe Labi Gashin.