Lajmi i ndarjes nga jeta të zyrtarit policor Shaban Hajdari ka shkaktuar dhimbje te familjarët, miqtë dhe kolegët e tij. Hajdari, 35 vjeç, banues në Prizren dhe pjesëtar i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren, u gjet pa shenja jete mëngjesin e 22 korrikut pranë varrezave të fshatit Morinë, në Kukës. Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet shqiptare, veprimet e para hetimore kanë ngritur dyshime për një vdekje të shkaktuar nga vetëvrasja, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes janë ende objekt hetimi. Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rastit. Autoritetet shqiptare dhe Policia e Kosovës po bashkëpunojnë për dokumentimin e plotë të çështjes. Pas lajmit të rëndë, Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur ngushëllimet për familjen e Hajdarit, kolegët dhe të afërmit e tij, duke vlerësuar kontributin e tij në shërbim të Policisë së Kosovës. “Shprehim solidaritetin dhe mbështetjen tonë për familjen, kolegët dhe të afërmit e të ndjerit, duke u uruar forcë dhe kurajë për ta përballuar këtë humbje”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të Sindikatës së Policisë së Kosovës. Në mesazhin e saj, Sindikata ka theksuar dhimbjen për humbjen e zyrtarit policor dhe ka përcjellë respektin për kontributin e tij në detyrë. “Qoftë i përhershëm kujtimi për të”, përfundon telegrami i ngushëllimit.