Dhjetë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë diplomuar në Akademinë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të gjeneratës 2026. Sipas FSK-së, kadetët përfunduan me sukses programin akademik dhe ushtarak, duke fituar njohuri në udhëheqje, planifikim operacional, vendimmarrje dhe menaxhim ushtarak, në përputhje me standardet e NATO-s. “Kadetët e FSK-së diplomuan dje në ceremoninë solemne të diplomimit të gjeneratës 2026 të kadetëve të Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e FSK-së. Diplomimi, sipas institucionit, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e arsimit ushtarak dhe zhvillimit profesional. Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar bashkëpunimin në rritje, duke theksuar se “bashkëpunimi ynë i ngushtë me Republikën e Shqipërisë vazhdon të forcohet çdo ditë”.