Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka hequr dorë nga kërkesa për rishikimin e vendimit që kufizon vizitat e tij nga 10 persona, ndërsa aktgjykimi i shkallës së parë në rastin ndaj tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator 2026 në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Detajet janë bërë të ditura nga gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila tha se informacioni është përfshirë në kundërpërgjigjen e ekipit mbrojtës të Thaçit lidhur me kërkesën për lirimin e tij të përkohshëm, për të cilën mbrojtja kishte ofruar një garanci prej 50 mijë eurosh. “Në fakt, ky është një detaj i cili është zbuluar tek përgjigjja e dytë apo kundërpërgjigjja e ekipit të mbrojtjes së Thaçit për Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, deklaroi Mujku. Sipas saj, mbrojtja ka bërë të ditur se Thaçi ka hequr dorë nga kërkesa për rishikimin e vendimit të gjyqtarit të vetëm, Kristopher Gosnell, që ndalonte vizitat e 10 personave. Mujku tha se, sipas argumentimit të mbrojtjes, Thaçi nuk ka pasur qëllim të takohet me këta persona dhe se kjo ka qenë një nga arsyet e paraqitura në mbështetje të kërkesës për lirimin e tij të përkohshëm. “Thaçi nuk ka për qëllim që ta ketë ndonjë vizitë, pra ta realizojë ndonjë takim apo bisedë me asnjërin prej këtyre vizitorëve”, tha Mujku, duke shtuar se mbrojtja argumenton se ai nuk do të kishte pasur një qëllim të tillë as nëse do të lirohej përkohësisht. Dhomat e Specializuara kanë caktuar 16 shtatorin 2026 për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Seanca do të jetë publike.