Nga Vendi
30 July 2026
Shtylla e dytë pensionale në qendër të debatit, fondet: Kursimet janë pronë personale dhe të trashëgueshme

Debati për të ardhmen e shtyllës së dytë pensionale në Maqedoninë e Veriut është intensifikuar, pasi u hodhën në opinion ide për reforma të mundshme të sistemit pensional, përfshirë edhe mundësinë e ndryshimeve që do të preknin këtë shtyllë. Shoqëritë për Menaxhimin e Fondeve Pensionale kundërshtojnë çdo ide për nacionalizimin e kursimeve, duke theksuar se mjetet e grumbulluara janë pronë personale e të siguruarve dhe mbeten të trashëgueshme. Sipas Asociacionit të Shoqërive për Menaxhimin e Fondeve Pensionale, transferimi i këtyre mjeteve në fondin shtetëror nuk do të ishte zgjidhje afatgjatë, pasi ato do të shpenzoheshin brenda një periudhe prej rreth një e gjysmë deri në tre vjet. Përfaqësuesit e sektorit vlerësojnë se shtylla e dytë është krijuar për të plotësuar sistemin shtetëror të pensioneve dhe për të kontribuar në stabilitetin e tij financiar, ndërsa kërkojnë miratimin e zgjidhjeve ligjore për multifondet, të cilat, sipas tyre, do të mundësonin kthime më të mira dhe pensione më të larta në të ardhmen. Diskutimet u nxitën edhe pas deklaratave të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili paralajmëroi se po shqyrtohen reforma pensionale dhe se shumë qytetarë mund të zhgënjehen nga shumat që kanë të grumbulluara në llogaritë e tyre pensionale. Ndërkohë, guvernatori Trajko Sllaveski ka vlerësuar se 80 deri në 90 për qind e pensionistëve që pritet të dalin në pension në periudhën 2030–2032 mund të kenë pensione të llogaritura nën nivelin minimal të përcaktuar me ligj. Sipas të dhënave zyrtare, në shtyllën e dytë pensionale janë të regjistruar rreth 638 mijë të siguruar, ndërsa në llogaritë e tyre administrohen më shumë se 3 miliardë euro. Shoqëritë pensionale bëjnë të ditur se fondet kanë realizuar një kthim mesatar vjetor mbi 5.5 për qind. Nga ana tjetër, MAPAS ka përllogaritur se aktualisht 147 persona marrin pagesa nga shtylla e dytë, me një pagesë mesatare mujore prej 9.878 denarësh. Burimi: Alsat



Të ndryshme
Më shumë
Zaev shkon kryeministër, Mickoski kthehet profesor në universitet 8 July 2020
Begaj dhe Sali në Shkup, homazh në Shtëpinë e Nënë Terezës dhe mesazh për bashkëpunim të thelluar27 February 2026
Kosovarët që bënin gara e i ikën radarit të Policisë, veturat luksoze i kishin marrë me qira në Zvicër21 July 2021