Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku është paraqitur të premten në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku, sipas raportimeve, hetuesit e BKH-së i kanë komunikuar akuzën për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Balluku ka mbërritur në SPAK e shoqëruar nga avokati i saj dhe ka qëndruar për rreth 20 minuta. Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, Balluku nuk është marrë në pyetje gjatë paraqitjes së sotme, pasi ka deklaruar se rezervon të drejtën për t’u pyetur në një moment tjetër. SPAK ka sqaruar zyrtarisht se Balluku është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, “për t’u njohur me akuzën, e cila lidhet me disa procedura prokurimi, objekt hetimi; për t’u pyetur lidhur me akuzat si edhe për t’i komunikuar akte të tjera procedurale”. Çështja ndaj ish-zëvendëskryeministres lidhet me hetimet e SPAK për procedura të prokurimit publik. Në këtë fazë, procedimi vijon dhe akuzat përbëjnë objekt të hetimit dhe të vlerësimit nga organet e drejtësisë.