Nga Rajoni
1 August 2026
LDK hap derën për marrëveshje me LVV-në, por përçarjet brenda partisë dhe zgjedhja e presidentit mbeten pengesë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e gatshme të rikthehet në bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për formimin e institucioneve të reja, por një marrëveshje e mundshme mes dy partive mbetet e pasigurt për shkak të përçarjeve brenda LDK-së dhe dilemave rreth zgjedhjes së presidentit. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kuvendi i partisë, i mbajtur më 30 korrik, ka dhënë dritën jeshile për bashkëpunim me LVV-në, me synimin për të shmangur një tjetër proces zgjedhor. “LDK-ja do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit për ndërtimin e institucioneve, duke dhënë kontribut në përballimin dhe largimin e një mundësie për zgjedhje tjera në Kosovë”, ka deklaruar Haziri. Sipas tij, LDK-ja kërkon që marrëveshja të përfshijë të gjitha institucionet, Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën, si dhe një agjendë të përbashkët shtetërore, politika sektoriale dhe ndarje të qartë të përgjegjësive. “Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave”, ka thënë ai. Megjithatë, brenda LDK-së vazhdojnë të jenë të dukshme mospajtimet. Abdixhiku u rikonfirmua në krye të partisë, por rezultati i votimit, 170 delegatë pro, 152 kundër dhe 5 abstenime, tregoi se mbështetja për të nuk është e unifikuar. Kjo ka ngritur pikëpyetje nëse të gjithë 18 deputetët e LDK-së do të mund të mbështesin një marrëveshje eventuale me LVV-në. Analistët Rrahman Paçarizi dhe Artan Muhaxhiri janë shprehur skeptikë për mundësinë e sigurimit të një qëndrimi të përbashkët të deputetëve të LDK-së. Sipas tyre, përçarjet e brendshme mund ta vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje dhe garantimin e numrave të nevojshëm në Kuvend. Një tjetër pikë kyçe mbetet zgjedhja e presidentit. Për dy rundet e para kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve, ndërsa në rundin e tretë nevojiten 61 vota. LVV-ja ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18, çka e bën bashkëpunimin mes tyre të rëndësishëm për krijimin e një shumice të mjaftueshme në procesin e zgjedhjes së presidentit. Ndërkohë, koha po ngushtohet. Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar për 6 gusht, ndërsa partitë duhet të gjejnë një zgjidhje për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk arrihet konsensus, Kosova mund të përballet sërish me zgjedhje të reja. Burimi: Radio Evropa e Lirë (REL) 



Të ndryshme
Më shumë
Moderatorja italiane ‘mbyt’ me puthje pasionante aktorin e njohur turk 8 July 2021
Gjendja me COVID-19 në Maqedoni, 310 raste aktive26 July 2021
Filipçe: Gjendja me koronavirusin ka eskaluar gjithandej në Ballkan 6 July 2020